Hetimi për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan nuk është selektiv dhe mund të zgjerohet në varësi të provave të reja që do të sigurohen, deklaroi Prokurori Publik Ljupço Koçevski. Ai theksoi se aktualisht prokurorët në Shkup dhe Koçan janë në fazën e mbledhjes së provave, duke dëgjuar dëshmitarë dhe duke kryer hetime të tjera për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Koçevski u shpreh se prokuroria po punon intensivisht për të mos e zgjatur afatin e përfundimit të hetimeve dhe ngritjes së akuzave.
I pyetur nëse po hetohet bastisja në diskotekë dhe nëse do të përfshihen ish-shefi i Drejtorisë së Policisë së Koçanit dhe ai i Shtipit, të cilët u shkarkuan, Koçevski u përgjigj se hetimi ndodhet në një fazë tejet të rëndësishme dhe nuk mund të zbulojë më shumë detaje. Ai siguroi publikun se çdo provë e re do të merret parasysh dhe nëse ka elementë për të zgjeruar hetimin, kjo do të ndodhë.