Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për dy vepra penale – Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, sipas nenit 288, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, i pandehuri akuzohet se ka shkaktuar qëllimisht zjarr në një shtëpi pushimi në Katlanovë dhe në një apartament në Shkup, të dyja në pronësi të bashkëshortes së tij, me të cilën ishte në proces divorci. Zjarret kanë rrezikuar jetën e njerëzve.
Më 1 maj, i pandehuri dyshohet se ka kërcënuar me telefon bashkëshorten dhe djalin e tyre të përbashkët, duke u thënë se do t’u vinte zjarrin apartamentit dhe shtëpisë. Një ditë më vonë, ai e ka realizuar kërcënimin, duke shkaktuar zjarr me benzinë përpara dyerve të hyrjes së të dyja objekteve.
Zjarri u përhap brenda shtëpisë dhe apartamentit, duke shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën e njerëzve. Me aktakuzën, prokurori publik kompetent i ka propozuar Gjykatës Themelore Penale Shkup zgjatjen e masës së paraburgimit për të pandehurin.