Daily Events News Network_Site Logo_Original Size_2025

Ngjarjet ditore nga Maqedonia e Veriut

Lajmet më të fundit nga Maqedonia e Veriut në Shqip


Zëvendëskryeministri Fetai reagon ndaj distancimit të BDI nga ndryshimet ligjore

Arben Fetai, Zëvendëskryeministri përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, ka reaguar ashpër ndaj Unionit Demokratik për Integrim (BDI) lidhur me distancimin e tyre nga ndryshimet e Ligjit për Organizimin e Organeve të Administratës Shtetërore. Këto ndryshime, sipas FetaIt, u votuan nga deputetët e BDI-së më 10 qershor 2024.

Fetai akuzoi BDI-në se gjatë 22 viteve në pushtet, ka mashtruar qytetarët duke bërë qindra kompromise të dëmshme në kurriz të shqiptarëve, ka heshtur për rastet e motivuara politikisht dhe nuk ka kërkuar drejtësi për vrasjet e pazgjidhura të ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Ai theksoi se BDI, si opozitë, po vepron në të njëjtën mënyrë: “Së pari votojnë me dorën e tyre për ndryshimet në organizimin e administratës shtetërore, dhe pastaj sulmojnë qeverinë për gjoja ‘shfuqizimin’ e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve”.

Fetai kujtoi se Kuvendi miratoi Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore me 88 vota “për”, 22 “kundër” dhe asnjë abstenim, para se të zgjidhej qeveria e re.

Sipas tij, ndryshimet nuk i referohen vetëm Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, por të gjitha inspektorateve. “Statusi i tyre si entitet juridik hiqet dhe ata sistematizohen nën ministritë kompetente, sipas një modeli më të qartë dhe më efikas të llogaridhënies dhe koordinimit”.

Fetai u bëri thirrje BDI-së të kërkojnë llogari nga deputetët e tyre dhe përfundoi duke thënë se gënjeshtrat i kanë këmbët e shkurtra.