Në ambientet e Sallës së Ekspozitës të Institucionit Kombëtar Qendra për Kulturë “Trajko Prokopiev” në Kumanovë, mbrëmjen e së mërkurës, më 7 maj, u hap ekspozita nga edicioni i 26-të i Festivalit Ndërkombëtar të Aforizmit dhe Karikaturës “Strumica 2025”.
Ekspozita, e cila u hap në orën 20:00, është realizuar në bashkëpunim me NI “Anton Panov” – Strumicë, që është edhe organizatori i vetë festivalit.
Vizitorët do të kenë mundësinë të shohin rreth 30 karikatura të përzgjedhura nga juria profesionale, ku përfshihen edhe fituesit e vendit të parë. Brenda kuadrit të Festivalit, janë ndarë çmime edhe për aforizmat më të suksesshme, si dhe mirënjohje për Karnavalet e Strumicës.
Ekspozita në Kumanovë do të jetë e hapur për vizitorë për dhjetë ditët e ardhshme.