Qeveria, përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po financon tre projekte në Kavadar me një vlerë totale prej 1.3 milionë eurosh për përmirësimin e infrastrukturës ujore. Lajmin e bëri të ditur Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, gjatë vizitës së tij në komunën e Kavadarit.
Rreth 1 milion euro janë fonde të pakthyeshme të ndihmës shtetërore, ndërsa 300 mijë euro janë kontribut i vetë komunës. Këto fonde sigurohen përmes linjës së kredisë të Bankës Evropiane të Investimeve, e cila është e destinuar për të gjitha komunat në vend.
Mexhiti theksoi se në fshatin Moklisht po ndërtohet një rrjet i ujësjellësit dhe kanalizimit me një gjatësi prej 6.4 kilometrash dhe një rezervuar me një kapacitet prej 150 metra kub.
Ai gjithashtu bëri të ditur se në qytetin e Kavadarit po ndërtohet rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit në bllokun 5.9 në rrugën “Veljko Vlahović”, i cili do të sigurojë lidhjen e ndërtesave të banimit me rrjetin ekzistues të ujësjellësit dhe kanalizimit për 400 familje në këtë vendbanim të sapo ndërtuar.
Përveç kësaj, do të sigurohen matësa uji me lexim të largët për zëvendësimin ose instalimin e instrumenteve të rinj matës për mbi 2000 familje.
Mexhiti deklaroi se me këto projekte, Qeveria dhe Ministria e Mjedisit po investojnë në përmirësimin e standardeve të jetesës së banorëve të Kavadarit dhe në zhvillimin socio-ekonomik të komunës. Ai shtoi se shteti po ndihmon gjithashtu komunën me zbatimin e teknologjisë së re moderne për lexim të saktë të konsumit të ujit, gjë që do të zvogëlojë humbjet e ujit në territorin e komunës dhe do të mundësojë menaxhim të qëndrueshëm dhe ekonomik të burimeve ujore, duke mbrojtur kështu mjedisin.