Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kritikuar ashpër qeverinë e Maqedonisë së Veriut pas tragjedisë ku humbën jetën mbi 60 të rinj, duke vënë në dukje se as Ministri i Punëve të Brendshme, as Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike nuk kanë dhënë dorëheqje. Sipas BDI-së, kjo tregon fytyrën e vërtetë të një qeverie që nuk di çfarë do të thotë përgjegjësi.
Në një deklaratë për media, BDI thekson se në të kaluarën, kur kanë ndodhur tragjedi të mëdha në vend, ministrat kanë dhënë dorëheqje si akt moral, si shprehje e ndërgjegjes dhe respektit për qytetarët. Si shembull, ata përmendin dorëheqjen e Ministrit Peshev pas rrëzimit të aeroplanit në vitin 1993, si dhe dorëheqjen e Ministrit Janakieski pas fundosjes së varkës me turistë bullgarë, edhe pse nuk u pranua. Gjithashtu, BDI kujton dorëheqjen e Ministrit dhe Zëvendësministrit të Shëndetësisë, Ilir Hasani, pas tragjedisë me spitalin modular në Tetovë, si dhe dorëheqjen e Ministrit të Drejtësisë, Bilen Saliu, në rastin e vogëlushit Almir.
BDI thekson se parandalimi i tragjedisë ku humbën jetën mbi 60 të rinj ishte përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas BDI-së, personi që duhej ta parandalonte tragjedinë, sot udhëheq “hetimin”, akuzon të tjerët dhe, përmes presionit politik mbi prokurorinë, përpiqet të bëjë pazare për shpëtimin e tij.
“Kjo nuk është vetëm një rënie morale e një zyrtari – kjo është fytyra e vërtetë e një qeverie që nuk di çfarë do të thotë përgjegjësi. Ky është një sistem që së pari sakrifikon qytetarët, dhe më pas sakrifikon të vërtetën,” thuhet në deklaratën e BDI-së.
BDI thekson se përgjegjësia nuk është deklarative, por tregohet me vepra. Qytetarët kërkojnë drejtësi, përgjegjësi politike, institucionale dhe morale, përfundon deklarata.