Shkup – Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, deklaroi se ligji i ri për punësimin e personave, i cili fokusohet në punësimin sezonal dhe të përkohshëm, synon t’i japë fund praktikës së gjatë të punësimit joformal, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm pas më shumë se tre dekadash.
Ligji i ri ofron fleksibilitet për punëdhënësit që të regjistrojnë personat e angazhuar në punë periodike ose sezonale, ndërsa punëtorët do të gëzojnë të gjitha të drejtat ligjore, duke përfshirë kontributet pensionale dhe shëndetësore.
Stojanoski theksoi se ky ligj është veçanërisht i rëndësishëm për punëtorët sezonalë në sektorët e bujqësisë, hotelerisë dhe shërbimeve, si dhe për studentët, nxënësit e shkollave të mesme, të vetëpunësuarit, të punësuarit, pensionistët dhe fermerët.
Për të siguruar një ligj sa më cilësor, u zhvillua një debat publik në Kuvend, ku u pranuan vërejtje nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, Agjencia e Punësimit, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministria e Arsimit, si dhe ekspertë dhe organizata joqeveritare. Përmirësimet u inkorporuan përmes 33 amendamenteve, të cilat erdhën nga parti të ndryshme.
Personat e regjistruar përmes këtij ligji nuk do të humbasin të drejtat e fituara tashmë, siç janë ndihma sociale, kompensimi i papunësisë, pensionet familjare dhe të pleqërisë, bursat ose e drejta për studime të rregullta.
Për zbatim të suksesshëm, zgjerohet juridiksioni i Agjencisë së Punësimit.
Është planifikuar të futet një regjistër dixhital dhe një zgjidhje moderne softuerike që do të lejojë regjistrimin e punëtorëve përmes internetit – shpejt dhe lehtë, në pak minuta.