Shkup – Partia e Gjelbër DOM ka reaguar ashpër pas zjarrit të fundit në fshatin Trubarevë të Shkupit, duke e cilësuar si një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Sipas DOM, ky nuk është një rast i izoluar, duke marrë parasysh zjarrin e mëparshëm në deponitë e Vardaristes dhe Drisllës. Partia thekson se institucionet po vazhdojnë të heshtin dhe të mos marrin përgjegjësi për situatën.
DOM, si pjesë e “Koalicionit për një Ardhmëri të Gjelbër,” bën thirrje për ndërprerjen e deklaratave boshe dhe reagimeve simbolike nga institucionet.
Sipas tyre, kur tymi helmon mushkëritë e fëmijëve dhe kur vendbanime të tëra po mbyten, kjo nuk është një “rrezik i përgjithshëm,” por një tentativë vrasjeje.
Për këtë arsye, DOM u bën thirrje të gjithë deputetëve në Kuvend – nga VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, VLEN dhe të gjitha partitë e tjera politike – që të bashkohen menjëherë dhe të përgatisin ndryshime urgjente në Kodin Penal.
Qëllimi i këtyre ndryshimeve është që zjarrvënia të përcaktohet qartë si një vepër penale që do të trajtohet si tentativë vrasjeje. Partia thekson nevojën e një reagimi të shpejtë dhe efikas nga ana e ligjvënësve për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve.