Një zjarr i madh shpërtheu sot në fabrikën “F – Group” në Shkup, ku ruhet mbetje elektronike, dhe dyshohet të jetë i qëllimshëm dhe përbën një sulm hibrid ndaj shtetit, sipas Drejtorit të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Stojançe Angelov.
Nuk raportohen lëndime si pasojë e zjarrit.
Angelov sqaroi se zjarri ka përfshirë dy impiante prodhimi dhe është përhapur pjesërisht në dy objekte fqinje, ku ruhet një sasi e madhe e mbetjeve plastike.
Të gjitha burimet janë drejtuar në vendngjarje, duke përfshirë ajroplanin, helikopterët e Ministrisë së Brendshme dhe Ushtrisë, një “hermelin”, zjarrfikës, etj., që po operojnë në terren. Ndihma është kërkuar edhe nga njësitë e zjarrfikësve fqinjë.
Angelov theksoi se një zjarr i kësaj magnitude nuk mund të ndizet lehtësisht dhe se nuk është aksidental: “Ky është një sulm hibrid ndaj shtetit, sepse në një periudhë të shkurtër kohore kanë ndodhur disa zjarre serioze që kanë shkaktuar ndotje të madhe të ajrit në Shkup – Vardarishte, Drisla, deponia në Shuto Orizari dhe sot kjo fabrikë. Ne jemi shënjestër e një sulmi hibrid dhe mund të hamendësojmë vetëm për motivet.”
Angelov shtoi se Ministria e Brendshme po punon për identifikimin e autorëve dhe u bëri thirrje qytetarëve: “Të raportojnë menjëherë çdo sjellje të dyshimtë, njerëz me tuba, veçanërisht rreth objekteve të tilla, në numrin 112 ose në stacionin më të afërt policor.”
Gjithashtu, Angelov informoi se edhe në Trubarevë digjen mbetje plastike.