Kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka shprehur shqetësimin e tij dhe të qytetarëve të Shkupit lidhur me zjarret që kanë përfshirë rrethinat e kryeqytetit gjatë ditëve të fundit. Ai ka ngritur dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.
Gjorgievski ka bërë thirrje për një hetim të shpejtë dhe efikas nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike për të zbuluar dhe ndëshkuar të gjithë ata që janë të përfshirë në zjarrvënien e vetëdijshme dhe të qëllimshme të deponive të mbeturinave rreth qytetit.
Ai theksoi se institucionet duhet të veprojnë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe se ka dyshime të bazuara që një pjesë e madhe e zjarreve të ndodhura kohët e fundit janë vënë me qëllim të krijimit të një krize artificiale në prag të zgjedhjeve lokale.
Gjorgievski pohoi se nuk ka ndodhur kurrë më parë që kodrat dhe deponitë e mbeturinave brenda një rreze prej 20 kilometrash rreth Shkupit të digjen njëkohësisht, dhe se këto zjarre kanë për qëllim të provokojnë “zjarr politik”, me qytetarët e Shkupit që janë viktimat e këtyre lojërave.
Ai ka premtuar se pas zgjedhjeve lokale, prioriteti i tij kryesor do të jetë krijimi i një sistemi ku nuk do të ketë zjarre, Shkupi do të jetë i pastër dhe deponitë e mbeturinave nuk do të jenë më problem, por zgjidhje. Gjorgievski ka prezantuar një “Plan për një Shkup të pastër dhe të shëndetshëm”, duke theksuar se ndërmarrjet komunale kanë mijëra të punësuar, por nuk ka askush që të kujdeset për rendin komunal. Ai e ka cilësuar situatën aktuale si një sulm ndaj mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve dhe ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të tij.