Shkup – Zjarri në deponinë e Drizllës është ende aktiv, por në një shkallë më të vogël, ndërsa deponia ilegale “Vardarishte” është shuar plotësisht, deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov. Ai gjithashtu sqaroi se tymi nga Drizlla nuk është shkak për mjegullën.
Sipas Angellovit, djegia në një pjesë të sipërfaqes së deponisë së Drizllës, nga e cila dilte tym, është mbuluar tashmë ditën e djeshme.
“Sot, mbulimi vazhdon me ritëm të përshpejtuar për shkak se dje janë kryer disa operacione logjistike që mundësojnë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në pikën kritike,” tha Angellov.
Angellov njoftoi se do të mbajë një konferencë shtypi ku do të japë informacione shtesë për të gjitha aktivitetet e ndërmarra deri më tani, përfshirë edhe ato që po ndërmerren gjatë ditës së sotme.