Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Izet Mexhitit, kandidatit të koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, duke e akuzuar për mospërballje me një garë të barabartë elektorale dhe abuzim me resurset shtetërore.
Në një konferencë për shtyp, Imer Aliu nga BDI theksoi se Izet Mexhiti ende nuk ka dhënë dorëheqje nga pozicioni i Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Ekologjisë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të frikës nga humbja në zgjedhjet e 19 tetorit.
“Izet Mexhiti nuk guxon të japë dorëheqje nga pozicioni i tij aktual, gjë që tregon se sa frikësohet nga humbja e thellë që do të pësosh në zgjedhjet e ardhshme,” tha Aliu. Ai e sfidoi Mexhitin të heqë dorë nga pozita e tij dhe të hyjë në zgjedhje në kushte të barabarta, pa privilegjet e pushtetit.
BDI theksoi se banorët e Çairit nuk i kanë harruar dy dekadat e premtimeve të pambajtura, infrastrukturës jofunksionale dhe degradimit të hapësirës urbane. Sipas tyre, Çairi ka mbetur peng i interesave personale dhe klanore.
Aliu siguroi qytetarët se më 19 tetor ata do të dërgojnë një mesazh historik, duke i dhënë fund mashtrimeve dhe abuzimeve. Ai theksoi se Çairi meriton një udhëheqje të re, një qasje vizionare dhe një administratë të ndershme në shërbim të qytetarëve.