Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër kundër vazhdimit të paraburgimit të ish-ministrit Kreshnik Bekteshi, duke e cilësuar këtë veprim si shprehje të drejtësisë selektive dhe hakmarrje politike. Sipas BDI-së, përgjegjësit e vërtetë për sigurinë e fëmijëve, të cilët kanë shkaktuar tragjedinë në Kërçovë, janë ende të lirë.
Në reagimin e tyre, BDI thekson se ky veprim nuk është vetëm standard i dyfishtë i ligjit, por edhe diskriminim i hapur politik dhe partiak. Ata e konsiderojnë këtë si shkelje flagrante të parimeve themelore të shtetit ligjor.
BDI thekson se dëshmitarët dhe prindërit e viktimave kanë treguar qartë fajtorët dhe kanë kërkuar përgjegjësi nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa vetëm ish-ministri Bekteshi mbahet në izolim. Sipas tyre, kjo bëhet si një paravan për të mbajtur të lirë fajtorët e vërtetë.
Nga BDI theksojnë se prokuroria transaksionale dhe qeveria aktuale vazhdojnë të shkelin në mënyrë brutale të gjitha parimet ligjore, morale dhe njerëzore. Ata shtojnë se kryeministri, pas kërcënimeve publike ndaj prokurorit, e ka nënshtruar atë plotësisht dhe vepron njëkohësisht si prokuror dhe gjyqtar.
Në fund, BDI bën thirrje për qytetarët që t’u bashkohen familjeve të viktimave nga Koçani dhe të kërkojnë drejtësi në rrugë. Ata theksojnë se kjo duhet të bëhet në mënyrë paqësore, por të vendosur.