Koalicioni VLEN ka njoftuar sot formimin e një presidencie të përbashkët, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt bashkimit të plotë politik. Ky koalicion, i cili pretendon të jetë i vetmi që përfaqëson shpresën, dinjitetin dhe ardhmërinë e shqiptarëve, ka vendosur të unifikojë strukturat e tij politike dhe organizative.
Presidenca e Përbashkët e VLEN do të koordinojë të gjitha aktivitetet politike dhe organizative në nivel koalicioni. Ky organ i ri është hapi i parë drejt krijimit të një entiteti politik të vetëm.
Një moratorium është vendosur për të gjitha aktivitetet publike të partive politike pjesëmarrëse në VLEN. Që tani e tutje, të gjitha aktivitetet dhe paraqitjet do të realizohen ekskluzivisht nën emrin, logon dhe përfaqësimin e vetëm të VLEN.
Në periudhën e ardhshme, do të formohen organe të tjera të përbashkëta, duke përfshirë Lidershipin e VLEN dhe Kryetarin e Shtabit Zgjedhor, i cili do të drejtojë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Këto struktura do të forcojnë më tej unitetin e koalicionit.
Grupi parlamentar i VLEN do të vazhdojë të funksionojë me deputetët aktualë, të cilët mbështesin procesin e unifikimit dhe janë të angazhuar për të forcuar zërin e përbashkët të shqiptarëve.