Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se gjatë dy ditëve të fundit, policia ka lëshuar 1425 urdhër-pagesa për shkelje të dispozitave të Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor dhe Ligjit për Automjete. Këto masa vijnë si pjesë e kontrolleve të intensifikuara të trafikut në të gjithë vendin.
Nga numri total i shkeljeve, 415 raste kanë të bëjnë me parkim të parregullt dhe 333 me tejkalim shpejtësie. Këto dy kategori shkeljesh janë më të shpeshtat.
Përveç kësaj, 144 drejtues automjetesh janë konstatuar se drejtojnë pa leje drejtimi. Policia gjithashtu sanksionoi 71 pjesëmarrës në trafik për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 39 drejtues motorcikletash për mosvendosjen e helmetës mbrojtëse dhe 64 për përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit.
Sipas të dhënave statistikore, në gjashtë raste drejtuesit e automjeteve kanë kaluar në semafor të kuq, ndërsa 18 drejtues janë gjetur me sasi të paligjshme alkooli në gjak. Gjithashtu, 15 këmbësorë janë sanksionuar për shkelje të rregullave të trafikut.
Në bazë të Ligjit për Automjete, 48 automjete janë hequr nga qarkullimi, 14 për shkak të defekteve teknike dhe 34 sepse ishin të paregjistruara.
Ministria e Punëve të Brendshme apelon tek qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut, veçanërisht gjatë festës së nesërme, dhe u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të mos hipin në timon nën ndikimin e alkoolit.
“Sjellja e përgjegjshme në trafik është parakusht për rritjen e sigurisë dhe kontribuon së bashku për rrugë më të sigurta,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.