Anëtarja e KE të VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, ka deklaruar se fotot e publikuara që tregojnë sjelljen e kryetarit të Kërçovës, Fatmir Dehari, ndaj grave të punësuara në Komunë, paraqesin skandal dhe turp për vendin. Ajo theksoi se fyerjet, poshtërimet dhe abuzimi me pozitën zyrtare janë sjellje të padenja për një person, e lëre më për një kryetar komune.
Miteva ka bërë thirrje për reagim të menjëhershëm nga institucionet relevante dhe organizatat. Ajo ka kërkuar nga Prokuroria Publike të hetojë rastin për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një incident të izoluar apo për një model sjelljeje të Deharit. Gjithashtu, ajo ka apeluar te Avokati i Popullit dhe organizatat që përfaqësojnë dhe mbrojnë të drejtat e grave.
Sipas Mitevës, nuk ka vend për heshtje dhe ky është një akt për dënim dhe sanksionim. Ajo theksoi se kushdo që abuzon me pozitën e tij për të fyer dhe ngacmuar punonjësit e tij duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe morale.
Miteva shtoi se me një sjellje të tillë, Dehari ka humbur çdo besim dhe nuk meriton besimin e qytetarëve. Ajo shprehu bindjen se edhe komuniteti shqiptar ndihet i turpëruar nga një sjellje e tillë, duke theksuar se kjo nuk është çështje etnie, por dinjiteti dhe morali njerëzor.
