Prokuroria nis procedurë për kërcënime serioze me vdekje në Tetovë

Një 49-vjeçar nga Tetova është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim pasi dyshohet se ka kërcënuar me vdekje një grua, zyrtarë të një partie politike dhe persona me bindje politike. Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka filluar procedurën ndaj tij, bazuar në një kallëzim penal nga SPB Tetovë, për veprën penale “Rrezikim i Sigurisë” sipas nenit 144 paragrafi 5 i Kodit Penal.

I dyshuari, më 28 tetor, publikoi një video dhe tekst në gjuhën shqipe në një profil në Facebook ku haptazi kërcënoi me vrasje personat e lartpërmendur dhe me kryerjen e krimeve të tjera të rënda.

Postimi, i cili përmbante përmbajtje ofenduese, nënçmuese dhe kërcënuese, ka shkaktuar ankth dhe frikë tek personi i dëmtuar.

Prokurori publik, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Tetovë propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin. Gjykata e ka pranuar propozimin dhe ka urdhëruar masën e paraburgimit.