Komuna e Aerodromit po paguan 750,000 euro për ndërtimin e trotuarit prapa qendrës tregtare “Capitol”, një shifër e kontestuar nga partia Levica, e cila pretendon se vlera reale e projektit është shumë më e ulët. Fondet për këtë projekt vijnë nga një kredi hungareze, që do të thotë se qytetarët do të jenë ata që do të paguajnë edhe interesat.
Levica-Aerodrom e ka cilësuar këtë pagesë si “hedhje pluhuri në sy të banorëve dhe pastrim parash para zgjedhjeve,” duke premtuar se do t’i japë fund skemave të tilla tenderuese në Aerodrom.
Partia ka njoftuar se pas marrjes së pushtetit në komunë, do të kryejë auditim të të gjitha tenderëve.
Levica-Aerodrom paralajmëron se do të ngrejë padi penale për çdo kontratë të fryrë dhe kriminale që tejkalon çmimin e tregut. Sipas tyre, ka ardhur koha t’i jepet fund ndryshimeve kozmetike në realitetin e Aerodromit.
