Prokuroria Themelore Publike e Kavadarit ka ngritur aktakuzë ndaj një personi të dyshuar për veprat penale “Zhvatje” dhe “Rrezikim i Sigurisë” ndaj kryetarit të Komunës së Negotinës.
Sipas aktakuzës, i akuzuari dyshohet se më 2 shtator, me qëllim përfitimi të paligjshëm financiar, ka kërcënuar seriozisht kryetarin e Negotinës dhe familjen e tij, duke tentuar t’i zhvasë 3,000 euro. Viktima nuk pranoi kërkesën dhe e raportoi rastin në polici.
Në periudhën nga 4 shtatori deri më 18 shtator, i akuzuari i dërgoi mesazhe kërcënuese kryetarit, me qëllim që ta shqetësonte dhe frikësonte. Disa nga mesazhet ishin drejtuar në adresën zyrtare të komunës, në adresa në Ministrinë e Brendshme dhe gazetarëve.
Kjo bëri që viktima të ndihej i pasigurt, i kërcënuar dhe i frikësuar për sigurinë e tij, si dhe për sigurinë e familjes së tij dhe për sigurinë e qytetarëve të Negotinës.
Prokurori publik kompetent ka kërkuar zgjatjen e masës së paraburgimit për të akuzuarin, për të cilin ekziston rreziku real i arratisjes, sepse një pjesë e familjes së tij jeton jashtë vendit. Gjithashtu, ka rrethana që tregojnë rrezikun që ai do të përsërisë veprën, madje edhe do t’i realizojë kërcënimet dhe zhvatjen.
Prokurori publik ka marrë parasysh edhe faktin që i njëjti person është dënuar tashmë për veprat penale të detyrimit dhe ndjekjes së kryetarit, për të cilat i është dhënë dënim i pezulluar, dhe të cilin prokuroria do të kërkojë ta revokojë, sepse periudha e provës nuk ka kaluar ende dhe i akuzuari po kryen vepra të reja penale.
