Izet Mejiti synon zgjerimin e burimeve buxhetore të Komunës së Çairit përmes fondeve evropiane

Izet Mejiti, kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, ka deklaruar se zgjerimi i burimeve buxhetore përmes fondeve evropiane, veçanërisht përmes programit Horizon Europe, paraqet një mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm dhe modernizim të komunës. Ai theksoi se prioriteti i tij është të sigurojë burime të reja financimi për të rritur investimet kapitale dhe projektet afatgjata.

Mejiti, i shoqëruar nga këshilltari i tij për financa dhe buxhet, Bujamin Bela, tha se Komuna e Çairit synon të ndjekë një qasje të re në zhvillim, duke aplikuar për projekte që sjellin më shumë investime, vende pune dhe shërbime më të mira për qytetarët, duke shfrytëzuar fondet evropiane dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Sipas Mejiti-t, Maqedonia e Veriut ka përfituar vetëm rreth 12 milionë euro nga programet Horizon, që përfaqëson vetëm 0.03% të fondeve totale në dispozicion. Ai theksoi se ka shumë hapësirë për përmirësim dhe se është koha që komunat, veçanërisht Çairi, të marrin një rol më aktiv në këtë drejtim.

Mejiti shtoi se do të eksplorojnë vazhdimisht mënyra të ndryshme financimi me qëllim të ndërtimit të një Çairi më të zhvilluar, inovativ dhe konkurrues. Ai beson se duke shfrytëzuar fondet evropiane dhe programet e BE-së, komuna mund të arrijë zhvillim të qëndrueshëm dhe të përmirësojë cilësinë e jetës për banorët.