Agjencia për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizive informon transmetuesit për heshtjen zgjedhore

Nga nesër në mesnatë fillon heshtja zgjedhore për raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale. Kështu njofton Agjencia për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizive, duke informuar transmetuesit se fushata zgjedhore përfundon në orën 24:00 të 17 tetorit 2025.

Gjatë heshtjes zgjedhore, nga 18 tetori deri në orën 19:00 të 19 tetorit, mediat mund të raportojnë për procesin zgjedhor, por duhet të ndërpresin çdo formë të përfaqësimit mediatik zgjedhor të pjesëmarrësve në fushatë.

Sipas Kodit Zgjedhor, shkelje e heshtjes zgjedhore konsiderohet transmetimi i çdo informacioni, fotografie, materiali audio dhe audiovizual që lidhet me ose përfshin pjesëmarrësit në zgjedhje.

Gjithashtu, shkelje konsiderohet çdo formë e raportimit mediatik që është haptazi ose fshehurazi në funksion të fushatës së dikujt dhe mund të ndikojë në vendimin e votuesve. Këtu përfshihen edhe të dhënat që zbulojnë identitetin e subjekteve politike dhe/ose individëve të përfshirë në incidente ose parregullsi në ditën e votimit, si dhe deklaratat nga kandidatët në procesin zgjedhor, nga përfaqësuesit e partive politike dhe nga zyrtarët në organet qeveritare.