Shoferi që goditi një 11-vjeçare dhe u largua u arrestua

B.R. (59) nga Shkupi u arrestua dje rreth orës 19:30 nga policia, pas hetimeve intensive, lidhur me aksidentin e datës 28 tetor 2025 ku ai goditi një 11-vjeçare dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Ngjarja ndodhi në rrugën “Pero Nakov” në Shkup rreth orës 20:30.

Viktima, një minorene 11-vjeçare nga Shkupi, u godit nga një automjet “Fiat Seicento” të drejtuar nga B.R. Pas aksidentit, B.R. u largua nga vendi i ngjarjes duke lënë të plagosurin.

Sipas konfirmimit nga Kompleksi Klinik “Nënë Tereza”, minorenja pësoi lëndime të rënda trupore.

Menjëherë pas raportimit të incidentit, autoritetet policore ndërmorën masa dhe aktivitete përkatëse, duke arritur të identifikojnë dhe të gjejnë shoferin dhe automjetin e përfshirë.

Me urdhër të prokurorit publik, B.R. u ndalua në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të çështjes, ndaj tij do të ngrihet padi penale adekuate.